Fokus Grupi II – Projekti “Përgatitja e Mësuesve të TIK mbi Inteligjencën Artificiale: Inteligjenca Artificiale në Klasë”

Më 29 janar 2025, u zhvillua online Fokus Grupi II në kuadër të projektit “Përgatitja e mësuesve të TIK mbi Inteligjencën Artificiale: Inteligjenca Artificiale në Klasë”, financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në kuadër të programit READ.

Ky fokus grup vijon angazhimin e nisur me pyetësorin drejtuar mësuesve të TIK, i cili synon të vlerësojë nivelin e përgatitjes së tyre mbi Inteligjencën Artificiale (IA) dhe nevojën për përmirësimin e njohurive në këtë fushë. Ai gjithashtu pason Fokus Grupin I, i zhvilluar në Universitetin Barleti në dhjetor 2024.

Në aktivitet morën pjesë 34 mësues nga 19 qytete të Shqipërisë, duke sjellë perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë e integrimit të IA në procesin mësimor.

Profesor Sokol Kosta, Profesor i Asociuar në Universitetin Aalborg, Danimarkë, dhe Prof. Asoc. Genta Rexha, pedagoge në Universitetin Barleti, vlerësuan angazhimin aktiv të mësuesve dhe theksuan rëndësinë e kontributit të tyre në zhvillimin e projektit dhe përmirësimin e rezultateve të tij.

Në maj 2025, mësuesit do të rikthehen në Universitetin Barleti për të ndjekur trajnimin e parë të kursit të propozuar në kuadër të këtij projekti. Trajnimi do të udhëhiqet nga Prof. Sokol Kosta, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të mësuesve për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mësimdhënie.

Më shumë informacion:
AADF
Research Expertise from the Academic Diaspora
Universiteti Barleti
Sokol Kosta
Genta Rexha